Përleshje të dhunshme shpërthyen gjatë manifestimeve pro palestineze në kampusin e Universitetit të Kalifornisë në Los Anxheles. Grupe kundërmanifestuesish pro izraelitë sulmuan protestuesit që mbështesin çështjen palestineze dhe ngritën barriera përreth universitetit, për të mos lejuar ngritjen e çadrave dhe bllokimin e tij ashtu si në Nju Jork.

Gjatë përleshjeve pati edhe të plagosur. Për të vënë nën kontroll situatën u desh ndërhyrja jo vetëm e policisë, por edhe e njësive speciale që arrestuan edhe disa persona.

Dhunë pati edhe në Nju Jork, ku protestuesit pro palestinezë sulmuan policinë, pasi njësitë speciale ndërhynë gjatë natës për të çliruar ambientet e universitetit Kolumbia nga zaptimi i tyre.

Në pamjet e publikuara, shfaqen dëmet e shkaktuara brenda universitetit nga protestuesit, të cilët për të ngritur barriera kanë përdorur tavolina e sende të tjera nga auditorët. Dhjetëra protestues u arrestuan, ndërsa zyrtarët e policisë thanë se protestat janë organizuar nga rangje edhe më të larta sesa grupet e aktivistëve.

Tv Klan