Seanca e ditës së djeshme në Kuvend u shoqërua me debate dhe akuza të forta sa i përket çështjes së amnistisë Penale.

Ishte deputeti Agron Shehaj i cili ka akuzuar ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja se me amnistinë që miratoi liroi persona të dënuar për korrupsion nga GJKKO dhe se për këtë duhet të jepte dorëheqjen, por përgjigja e ministrit ishte e ashpër duke e akuzuar si evazor që paguan shkrime kundër Shqipërisë. Pas akuzave të Shehajt, ministri Manja nga vendi i bëri me dorë se do t’i shkul veshët.

Ndërkohë ditën e sotme Manja është pyetur nga gazetarët për sherrin me Agron Shehajn. Ai e cilësoi debatin e djeshëm si debat për nivelin e klasës së parë.

“Dje ishte dje, edhe gjithçka i takon atij debati politik të zhvilluar brenda asaj salle. Sot është një ditë e re, është ditë e premte dhe jemi dhe në prag të festës së Pashkës. Kam dëgjuar sot nga stafi im që edhe përgjatë shumë emisioneve mbrëmë pasdite ka vazhduar të trajtohet kjo gjë. Mirë bëjnë që e trajtojnë, por personalisht më bëri pak nostalgjik se më ktheu si dikur në ato ankesat që kishim në klasë të parë dhe shkonim te zysha për t’i zgjidhur, por problemi është që mosha bën të vetën, koha bën të vetën në nuk mund të kthehemi më në klasë të parë. Ai debat i takon tërësisht një debati politik brenda sallës së Kuvendit, sot jemi për një tjetër punë dhe unë dua ta mbyll me një urim për festat e Pashkëve”, u shpreh ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

/tvklan.al