Modelja e ish-konkurrentja për Miss Ekuador, Landy Párraga, u ekzekutua me armë zjarri në një restorant të dielën. Ngjarja ndodhi në qytetin e Quevedo, provinca e Los Ríos, një prej zonave më të dhunshme në Ekuador. Si shkaqet, ashtu sikur autori i ngjarjes së rëndë nuk dihen dhe autoritetet ekuadoriane thanë se kishin nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar këto pamje, që tregojnë momentin kur autori futet në restorant dhe qëllon në drejtim të modeles dhe një personi tjetër që ndodhej me të. Párraga mbeti e vrarë në vendin e ngjarjes.  

Në Dhjetor të 2023-t, në një prej bisedave të publikuara nga zyra e prokurorit në atë që njihet si dosja ‘Metastasis’, ku hetohet një strukturë e krimit të organizuar, e që ka çuar deri më tani në pranga disa persona, përmendej edhe emri i Landy Párraga.

Në bisedë, sipas mediave vendase, trafikanti i vrarë i drogës, Leandro Norero komentonte me shqetësim me një tjetër kriminel të arrestuar për faktin se emri i Párraga shfaqej në hetimet e një prokurori për pastrim parash dhe theksonte se nuk donte që 23-vjeçarja të lidhej me të.

Pas vdekjes në burgun e Latacunga në 2022-n të Leandro Noreros, i cili ishte lider i një grupi të lidhur me trafikun e drogës, dolën të dhëna për një strukturë kriminale që i kishte shtrirë tentakulat deri në institucionet shtetërore.

Vetë Landy Párraga nuk foli kurrë publikisht për dosjen Metastasis dhe ndaj saj nuk pati një procedim penal nga zyra e prokurorit. Párraga mori pjesë në konkursin e bukurisë Miss Ekuador në 2022-n, si përfaqësuese e Los Ríos./tvklan.al