Kryeministri hungarez, Viktor Orban thotë se perëndimi është në prag të dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë, një vijë e kuqe që Rusia ka paralajmëruar se nëse shkelet, do të shpërthejë Luftën e Tretë Botërore. Në një opinion në Facebook, Orban shpjegon se si në luftën e Ukrainës, “tabutë” po thyhen një nga një.

Në fillim, plani ishte të dërgoheshin vetëm helmeta, pastaj sanksione por jo për operatorët e energjisë. Megjithatë, më vonë u përfshinë edhe ata. Pastaj u dërguan armë, fillimisht armë zjarri e më pas tanke e avionë. Më pas ndihma financiare, në fillim dhjetëra miliarda, e tani rreth 100 miliardë. Para, armë, por situata nuk po përmirësohet, në fakt po përkeqësohet. Jemi një hap larg dërgimit të trupave nga Perëndimi në Ukrainë.

Dërgimi i trupave ushtarake në Ukrainë është një propozim i mbështetur nga Franca dhe disa vende të Europës Lindore, të cilët rrezikohen të parët nga përshkallëzimi i luftës në Ukrainë. Komenti i Orbanit, që shquhet si mik i Vladimir Putinit, mes aleatëve perëndimorë vjen pak ditë pas miratimit nga Kongresi Amerikan të ndihmës së madhe ushtarake prej mbi 60 miliardë Dollarësh për Ukrainën, të shumëpritur nga presidenti Volodimir Zelenski, i cili thotë se do t’i japë ushtrisë së tij fuqinë e nevojshme për kundërsulm ndaj rusëve.

Tv Klan