#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

Të ftuarit:

Ols Abazi- Producent

Lajla Pernaska

Irena Myzeqari- Pedagoge

Çenkuela Hasa- Gazetare

2 receta nga Znj.Vjollca

Sufle me patate, vezë dhe proshutë

700 gr patate
1 vezë
100 gr djathë të verdhë të grirë
150 gr proshutë në kubikë
Kripë
Piper i zi
Arrë moskat
4 vezë të ziera fort

Fillimisht ziejmë vezët për 10 minuta. Qërojmë patatet, i presim ato në copa të mëdha e më pas i vendosim në një tenxhere me ujë e kripë dhe i lëmë të ziejnë për 30 minuta nga momenti që ka nisur të marrë valë. Më pas i kullojmë, i vendosim në një tas të sheshtë dhe i shtypim me pirun ose me shtypës patatesh. Pasi kthejmë patatet në pure, shtojmë pak piper të zi, arrë moskat, 1 vezë, pak kripë, djathin e grirë hollë, proshutën e prerë në kubikë të vegjël. Të gjithë përbërësit në tavë, i përziejmë mirë.

Në një tjetër tavë keku drejtkëndëshe e lyejmë me gjalpë ose vaj, e pudrosim me miell dhe vendosim gjysmën e puresë si bazë të suflesë. Qërojmë vezët dhe i vendosim ato të plota njëra pas tjetrës. I mbulojmë ato me pjesën e mbetur të puresë. Nivelojmë mirë sipërfaqen e më pas vendosim tavën në furrë në temperaturë 180 gradë për 30 minuta. Më pas e lëmë tavën të ftohet pak dhe e përmbysim mbi një pjatancë të cilën do ta shërbejmë duke e prerë në copa.

Tiramisu

4 kokrra vezë
100 gr sheqer
500 gr maskarpone
300 ml kafe e përgatitur (lëng)
300 gr biskota savoiard
50 gr kakao

Fillimisht ndajmë në dy tasa të verdhat nga të bardhat e vezëve dhe i vendosim veç e veç në tasa. Tek të verdhat e vezëve hedhim 50 gr sheqer duke i rrahur së bashku derisa të verdhat e vezëve të rrisin volumin dhe sheqeri të shkrijë. Shtojmë më pas pak nga pak maskarponen duke e trazuar vazhdimisht me rrahësen e vezëve.

Më pas rrahim të bardhat e vezëve me sheqer derisa të bëhet një marengë e fortë. E bashkojmë më pas marengën duke e shtuar pak nga pak në tasin me të verdhat e vezëve të rrahura me maskarponen. E përziejmë mirë me spatul ose lugë druri derisa kremi të jetë njësuar plotësisht.
Përgatisim kafenë duke e ëmbëlsuar atë sipas shijes dhe e vendosim në një tas të thellë dhe e lemë të ftohet.

Në një tavë ku do të përgatisim tiramisunë fillimisht shtrojmë një bazë me kremin e përgatitur më pas lagim biskotat me kafe dhe i vendosim njëra pas tjetrës mbi bazën e kremit. Mbulojmë biskotat me një shtresë të trashë kremi. Vendosim përsëri një shtresë të dytë me biskota të lyera me kafe. I mbulojmë përsëri biskotat me një shtresë të trashë kremi. Në fund e pudrosim me kakao të gjithë sipërfaqen e kremit dhe e vendosim tiramisunë në frigorifer për disa orë që të ngurtësohet.

Pse pëlqejmë kaq shumë të bëjmë thashetheme dhe të dimë çfarë ndodh me të tjerët?

A kanë thashethemet edhe anë të mira?

Lajla Përnaska: Dikur kishim llazore lagje, sot i kemi digjitale

/tvklan.al