Këto shtëpi në zonat rurale nuk i ngjajnë asnjëra njëra-tjetrës. Kjo është Bathorja, një prej zonave të Tiranës, të ndërtuara mes informalitetit dhe të pahamonizuara. Fshatrat e rinj nuk do të jenë më si kjo zonë, por pothuajse si këto pamje që u përkasin fshatrave të ndryshëm në Europë.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku thotë se, në bazë të lejeve të thjeshtëzuara, në Shqipëri shumë shpejt pritet të ngrihen fshatra me tipologji të njëjtë objektesh, me stile të njëjta arkitekturore.

“Ne kemi menduar të thjeshtojmë procedurën e ndërtimit në këto zona, ku bashkitë i japin mundësi përmes vendimit të Këshillit të Ministrave, që bashkitë të krijojnë modele tip banesash, që domethënë 1+1, 2+1, 3+1, bashkitë kanë të drejtë të zgjedhin sa modele ata gjykojnë, duke sjellë në zonat rurale një farë unifikimi të objekteve që janë me një model arkitekture të ngjashme për të mos patur një objekt ndryshe dhe një objekt tjetër”.

Projektet e banesave do t’u ofrohen pa pagesë qytetarëve.

“Këto modele të jenë të gatshme pranë bashkive dhe bashkia t’ua ofrojë këto modele qytetarëve që kanë nevojë për një banesë specifike, pa pagesë modelin dhe lehtësimin në procesin e aplikimit, shkurtohet shumë edhe pjesa përpara marrjes së lejes, kur çdo gjë e ke në rregull me dokumentacion kërkon 60 ditë, periudha e përgatitjes për projektin dhe dokumentet për aplikantin. Këto me projektin tip e ka të gatshëm”.

Nëse dikush dëshiron të ndërtojë një stil tjetër banese, ai nuk do të privohet nga kjo e drejtë.

“Nëse një banor do ta ndërtojë objektin siç do ai, do ndjekë procedurën standarde të aplikimit”.

Tipologjitë e banesave pritet të jenë të ndryshme, në zonat të ndryshme të vendit. Bashkitë do të ruajnë autonominë vendore për përzgjedhjen e tyre.

“Kur vijmë tek modelet tip, ato do jenë të ndryshme. Ato që janë më afër detit, në male, në fushat kodrinore, bashkitë do vendosin vetë për modelet sipas territoreve. Autonomia vendore ruhet”.

Qeveria ka menduar t’i lehtësojë procedurat e lejeve të ndërtimit në zonat rurale. Lehtësirat përfshijnë dy tipologji ndërtimesh: atë të një banese të re dhe ndërtimin e çative të papërdorshme, mureve rrethuese dhe mureve mbajtëse, për të cilat sot ka një procedurë që kërkon një seri projektesh arkitekturore apo projektues inxhinierike.

Kjo procedurë të thjeshtohet dhe bashkitë të kenë mundësi të jenë aktorë mbështetës për banorët për t’i asistuar në procesin e aplikimit dhe për t’ia thjeshtuar në shumë pak ditë procesin e aplikimit dhe marrjes së lejes për këto”.

Mazniku shpjegon se lehtësitë për këto leje kanë qenë një kërkesë e pothuajse të gjitha bashkive dhe u evidentuan në mbledhjen që kryeministri mbajti pak kohë me parë me kryebashkiakët në Shkodër.

Tv Klan