Emocionet e kampionatit Europian sa vijnë e bëhen më të forta. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka miratuar një nga gjërat më kyçe, siç është rritja në 26 e numrit të lojtarëve në dispozicion për kombëtaret pjesëmarrëse.

Sipas asaj që është rënë dakord mes trajnerëve, mes të cilëve edhe Sylvinho, rritja nuk paraqet detyrim për skuadrën. Lista do të përmbajë një minimum nga 23 deri në maksimumin 26 lojtarë, për t’i dhënë më shumë alternativa 24 ekipeve pjesëmarrëse për turneun e kësaj vere.

Të gjithë lojtarët do të përfshihen në listën përfundimtare të 7 qershorit. Por ndryshe nga kampionati Europian i shkuar, ku tre lojtarë detyroheshin ta ndiqnin ndeshjen nga tribunat e stadiumit, në stol do të jenë të gjithë futbollistët e gatshëm.

Ngjarja më e madhe kontinentale do të luhet në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik.  Kampionati Europian është një ekskluzivitet i televizionit Klan që do transmetojë falas 51 ndeshjet e kompeticionit për tifozët shqiptarë.

Shqipëria do ta nisë rrugëtimin në Europian më datën 15 qershor ndaj Italisë, sfida do të luhet në orën 21:00 në stadiumin e Dortmund.

Katër ditë më pas në datën 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nga ora 15:00 në stadiumin e Hamburgut, ndërsa ndeshja e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datën 24 qershor në stadiumin e Dyzeldorf.

Klan News